Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka refuzuar t’i japë mandatin e kryebashkiakes, kandidates së PS, Valbona Sako. Kjo e fundit fitoi zgjedhjet në votimet e 30 qershorit përballë rivales nga Bindja Demokratike, Valbona Sakollari.
Seanca ka përfunduar vetëm pak minuta më parë. Argumenti i Gjykatës ka qenë se zgjedhjet janë të paligjshme. Kjo për shkak se sipas trupës gjykuese, Bindja Demokratike është regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit në shkelje me afatet ligjore. Pikëpyetjet për regjistrimin e Bindjes Demokratike janë ngritur edhe më herët nga media, por mesa duket tashmë po del në pah se KQZ ka vepruar në shkelje me ligjin.
Ky është rasti i parë në këto zgjedhje kur një Gjykatë vendos të mos mandatojë kryetarin e ri të një bashkie. PS ka paralajmëruar se do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e Shkallës së Parë. Nëse vendimi mbetet në fuqi, zgjedhjet në Bashkinë e Durrësit do të ribëhen.
Nuk dihet nëse ky vendim mund të shërbejë si precedent apo arsyetim edhe për Tiranën, apo rastet e tjera, për bashkitë ku Bindja Demokratike ka pasur kandidatë.
30 qershori shkaktoi polemika si dhe ashpërsoi mjaft retorikën mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit i bojkotoi ato në vijim të kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme që prej djegies së mandateve parlamentare në shkurt të këtij viti dhe nisjes së protestave kombëtare. Ndërsa shumica parlamentare shkoi e vetme në votime dhe në 35 bashki kishte vetëm një kandidat, ata të PS, ndërsa në 26 të tjera kandiduan të emra të pavarur si dhe të propozuar nga Bindja Demokratike e Astrit Patozit./Gazeta MAPO/
/Lupa.al/
Komente 1