KQZ ka numëruar 655 mijë vota tashmë. Vetëvendosje po prin e para me 47.89% të votave, duke shkuar drejt një fitoreje plebishitare.
Ndërkohë e dyta është PDK me 17.42% të votave dhe e treta vjen LDK me 13.36% të votave.
Aktualisht AAK ka 7.45% të votave. Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit AAK kishte dalë 11.5%.
Nisma aktualisht ka 2.76% të votave, vota të cilat nuk mjaftojnë për të kaluar pragun elektoral.
Në një deklaratë për mediat nga selia e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani shpallën fitoren. Kreu i VV, u shpreh gjithashtu se nuk do të bëjë koalicion me asnjë prej partive të tjera, për të cilat tha se “duhet të reformohen në opozitë“.
Gjatë daljes për mediat me presidenten në detyrë dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kreu i Vetëvendosjes iu drejtua asaj disa herë: “Zonja Presidente“! Duke lënë të kuptohet se qeveria e drejtuar nga Vetëvendosja do të arrijë të bëjë shumicën e 2/3 të votave që nevojiten për të zgjedhur pasuesin e Hashim Thaçit, i cili ndodhet në Gjykatën e Hagës ku po gjykohet për krime lufte.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në cilësinë edhe të udhëheqësit të fushatës së LDK, mori përgjegjësinë për rezultatin. Ai tha se nuk e priste që forca e tij politike të dilte e treta në këto zgjedhje, pasi pritshmëritë ishin për një rezultat mjaft pozitiv.
Reagoi edhe kreu i AAK, Ramush Haradinaj. Në një konferencë për mediat, Haradinaj tha se nuk vija të kuqe me asnjë forcë politike, duke u deklaruar i hapur për koalicion paszgjedhor me Vetëvendosjen.
/Lupa.al/