Historia e Çiljetës dhe Alban Hoxhës është ndër më të komentuarat në media. Çifti që kanë bashkë më shumë se gjashtë vite shpeshherë janë lakuar për një raport të komplikuar me ndarje dhe ribashkime. Prej më shumë sesa një vit, të gjithë jemi duke pritur dasmën e tyre, por dasmë ende nuk po shohim në horizont.
Muajin e shkuar, këngëtarja pranoi të ndante një foto të rrallë në çift dhe arsyeja ia vlente. Dyshja festoi përvjetorin e tyre të gjashtë dhe Çili na i zbuloi vetë këtë fakt në rrjetet sociale.
“Sot gjashtë vjet bashkë, dielli im”, shkruante ajo, duke na lënë të kuptojmë se të dy po shijojnë një histori të bukur. Por teksa të gjithë presim dasmën e tyre, shpesh herë dinamikat e tyre ndryshojnë në çift, duke na bërë të gjithë konfuz mbi ecurinë e tyre.
Konkretisht, Çiljeta ditët e fundit nuk e ndjek më partnerin e saj në “Instagram”, ndonëse foton e profilit, ku shfaqet së bashku me Albanin ende nuk e ka hequr. Nga ana tjetër Albani, ndonëse nuk është aktiv në rrjetet sociale, vijon ta ndjekë. Një histori zënkash, xhelozish dhe ripajtimesh të ëmbla ka ardhur shpesh nga ky çift. Ndonëse të dy janë duke planifikuar prej më shumë sesa 1 vit dasmën, gjërat duket se kanë ende kohë, derisa të celebrohen në martesë. Që në fillimet e tyre si portieri i “Partizanit” ashtu edhe këngëtarja e famshme janë treguar shumë diskret për marrëdhënien e tyre.
Vetëm pak kohë më parë, me anë të një postimi në “InstaStory”, ajo ka ndarë një moment nga loja në fushë e portierit, duke i thënë publikisht “Të dua”, deklarata që më parë nuk i ka bërë kaq hapur. E ky çlirim i Çiljetës nga të qenit supersticioze e ka një shpjegim, dhe bëhet fjalë për sigurinë e fituar në këtë marrëdhënie, dhe planin e çiftit për të bërë celebrimin. Tashmë pasi kanë provuar bashkëjetesën, ata e kanë ndarë mendjen që të hedhin hapin e madh me një festë ceremoniale me shumë sesa dasmë tipike.
Mirëpo, ç’raporte ka Çiljeta me familjen e Albanit?
Edhe këtë fakt Çiljeta na e ka treguar hap pas hapi, me postimet e saj. Ajo postoi në “Instagram” një video të shkurtër ku shfaqej në kafe bashkë me motrën e Albanit, Ledën, teksa në sfond dëgjohej që e thërret me përkëdheli “dudu”. “E moj kunatë”, shkroi këngëtarja krahas postimit, të cilin e shoqëroi me “emoji”-n e një zemre të kuqe dhe me një “emoji” trëndafili të kuq.
Më parë, Xhilaga na kishte treguar edhe se si shkon me vjehrrën, nënën e partnerit të saj. Ajo publikoi një video në 17 “Instastory”, në të cilën shihej vjehrra e saj duke gatuar, ndërsa Çiljeta dëgjohej duke i thirrur “muçi”.
Ndërsa në një intervistë për “Jashtë loje”, këngëtarja foli shumë për jetën e saj personale. Çiljeta tregoi se vazhdon të shijojë e qetë dashurinë me portierin e Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare, Alban Hoxha, dhe ka kuptuar prej kohësh se ata janë bërë për njëri-tjetrin. Ajo foli edhe për marrëdhënien që ka i biri, Fernando, me Albanin, duke qenë se portieri është bërë pjesë e familjes së tyre kur i biri ishte vetëm 3 vjeç: “Fernandos sigurisht i ndikon prania e Albanit.
Kur ishte më i vogël, thoshte kur të rritem do pres topa si Albani, por tani ka ndryshuar, është më shumë te muzika. Kurse djali i Albanit është i lindur dhe i prerë për këtë gjë. Kur e merrja Fernandon me vete në stadium kur ishte më i vogël, hipte te karriget dhe ia bënte me dorë: ‘Si nuk më shikon içik ky, o ma?!’. Ata janë si shokë bashkë. Albani i merr shpesh të dy bashkë, i nxjerr, bëjnë muhabete burrash, mbajnë sekrete ndaj meje. Por Fernando s’i mban dot sekretet. Fernando ka qenë 3 vjeç kur Albani është bërë pjesë e jetës sonë. Sot, është 8 vjeç dhe i thonë 5 vite, pra, prezenca e Albanit ka ndikuar shumë në formimin e fëmijës”.
Ajo u rrëfye si rrallëherë edhe më në detaje për partnerin e saj, Albanin:“Gjërat ndonjëherë janë të shkruara! S’e kishim menduar ndonjëherë. Vinim të dy nga marrëdhënie të mëparshme. As ai s’e mendonte që do njihte dhe do dashurohej dhe as unë se mendoja që do njihja dhe do dashurohesha.
Çdo marrëdhënie ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ka ato ditët e bukura dhe ato peripecitë që kalon, por kur dashuria është e vërtetë dhe e fortë, çdo gjë kalohet edhe pastaj fillon merr një trajtë tjetër, kur ti kupton që nuk rri dot pa tjetrin dhe aty ti merr një vendim me veten dhe e kalon gjënë në një tjetër nivel pastaj. Albani është një djalë sentimental dhe besnik. Është një natyrë që aty ku merr ngrohtësi dhe aty ku është mësuar, aty rri. Është njeri familjar, ka sedër shumë”, u shpreh këngëtarja.